
Këto fjalë të Morfeusit nga Matrix më vijnë ndërmend sa herë hedh sytë tek politika shqiptare. Është thjeshtë një rresht nga filmi, por për shumë shqiptarë egzistenca e dy botëve paralele është një realitet konkret. Nëpërmjet gjyslykëve të çmendur të politikës mund të jesh njëkohësisht kriminel dhe hero, kurvar dhe i virgjër, xhelat dhe viktimë. Dhe pak, fare pak rëndësi ka ëfarë është e vërteta, aq më pak rëndësi ka e drejta - rëndësi ka vetëm mënyra se si ne e shohim situatën. Sepse Pikëpamja prodhon Realitetin.
Jeta shqiptare ngjyroset kuq e blu deri në çdo ind e në çdo qelizë. Politika konsumohet po aq sa cigarja, në garë të rreptë midis tyre se cila do na vrasë më parë. Në mos vrafshim njëriatrin ndërkohë për hiçmosgjë. Është qesharake në fakt, se si i njëjti realitet mund të shihet kaq ndryshëm nga njerëz që i përkasin të njëjtit vend fare të vogël. Sikur të ishim grupe të mëdha me konflikte interesi - hajde de, po ajo shoqëri e vockël ka për detyrë - përpara se të avancojë luftën politike - të rregullojë atë byth-vend. "Se aq i gjo osht!" Pa ujë e pa drita, o bij të shekullit të ri. Sa keq që mungon zemra dhe mendja atëherë kur duhet më shumë. Por gati-intati politik-genetik, ta çan kokën me karrige. "Për hir të vijës së Partisë unë e ther fqinjin me thikë, e bëj vëllanë harram, dëgjove?! Oj ky, shaka Filan Fistëkun! U bëre ti bir bushtre!"
Sa turp të sillemi në ketë mënyrë barbare me njëri tjetrin, për parime gjoja të majta dhe të djathta, që janë thjesht fantazi kolektive. Dhe arrijmë të dhunojmë njëri tjetrin, fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht, për pornopolitikën dhe aktorët e saj Punistë që akoma zotërojnë skenën me absurditetin e të qënit akoma aktorë. Nuk di ç'mrekulli presin disa prej këtij cikli shterpë që po përsëritet me të njejtin pasukses të frikshëm. Me të vërtetë nuk di cila magji a sy i keq na mban ngërthyer, armik më të madh se vetja nuk paskemi patur ama. Mbetëm gjithmonë një grusht njerëz që nuk u bëmë dot një herë në një mendje. Që kemi për borxh të arrijmë majat e suksesit individual kudo në botë, por që nuk prodhojmë dot një shtet, rrjedhimisht as vend përsëmbarit. Shqipëria do mbetet një "Underachiever" (i parealizuar) tragjik, për sa kohë të vazhdojë të përtypë kokrra të kuqe apo blu.