TIRANE - Gjatë një takimi të mbajtur në auditorët e Universitetit Afrikan të Tiranës pasditen e së mërkurës, Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri informoi të pranishmit se kishte nisur negociatat me Çadin për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të ish presidentit Alfred Moisiu. I pranishëm në takim, ish-presidenti Moisiu kundërshtoi ministrin duke thënë se është gjallë e shëndoshë e mirë. Por z. Xhaferri i rrëzoi pretendimet e Mosiut duke e siguruar auditorin se ish Presidenti ka vdekur në mërgim në Çadin e largët, në vitin 2021. Në përfundim të takimit Ministri Xhaferri i njohu të pranishmit me shpikjen e tij të fundit; "është një mjet në formë rrethi, një tip disku, të cilin e kam pagëzuar "Rrotullamja" dhe do të revolucionarizojë transportin," - tregoi Ministri Xhaferri.
TIRANE - Qeveria Shqiptare ka deklaruar se do të shkurtojë vendet e punës në administratën shtetërore me 120%. Është hera e parë që një administratë deklaron se do të shkurtojë më shumë nënpunës sesa ka. Vendimi i qeverisë u përshëndet nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Jemi qeveri në dietë, jo shaka", - deklaroi për mediat Ministri Bode. "Ky vendim i vështirë është në interes të vendit. Llogaritëm se do t'i kursenim buxhetit 1.2 meleonë euro nëse shkurtonim 20% të administratës. Që atje u bë e qartë se nëse shkurtonim 40% do të kursenim 2.4 meleonë euro, nëse shkurtojmë 100% të administatës kursejmë 6 meleonë. Por pastaj menduam, 'Po ce ta lëmë me kaqë?', eleminojmë edhe 20% më tepër dhe kursejmë plot 7 meleonë euro!"
PARIS— Shtëpia e modës Chanel shpalli të enjten se ka krijuar një fragrancë të re të frymëzuar nga Shqipëria. Parfumi është konceptuar të përballojë pluhurin, tymin dhe lagështinë e djersës njerëzore ne furgonët e linjës Tiranë - Tepelenë. "E kemi quajtur Chanel Numër 3, pasi i kushtohet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të boptës së tretë." - na shpejgon Presidenti i Chanel Mauris Shiket. "Parfumistët tanë ishin dy prej 2 miljonë e gjysmë turistëve që vizituan vendin tuaj këtë vit. Ata pushuan pranë kanaleve të ujrave të zeza në bregdetin shqiptar, dhe u kthyen në Paris me dëshirën për të dhënë diçka për vendin tuaj. Dhe sipas nesh Shqipëria mbi gjithçka, ka nevojë për parfum."
TIRANE - Burime të brendshme të qeverisë tregojnë se që pas emërimit të tij si Ministër i Shtetit, Genc Pollo mendon vetëm për faktin se është i teti në rradhë për tu bërë Kryeministër i vendit në rast urgjence. "Nuk është gjë e lehtë të jesh i teti në rradhë," - thotë z. Genc Pollo. "Ta zëmë se Kryeministi Berisha, Zv Kryeministri Meta, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Energjitikës, Ministri i Punës dhe Ministri i Mjedisit nuk janë më në gjendje të kryejnë funksionet e tyre, atëherë me rregull i përket Ministrit të Shtetit, pra mua, të bëhem Kryeministër." - shpjegon Pollo. Miq të z. Pollo na tregojnëse ai zotohet vazhdimisht se do të jetë një kryeministër modest dhe se nuk do ta keqpërdorë pushtetin që i është besuar. "Jam gati për të drejtuar vendin. Mos e dhëntë Zoti të ndodhë ndonjë fatkeqsi. Por gjithësesi, unë jam gati!" - shprehet ai.
TIRANE - Mbrëmë në orët e vona, në një nga rrugicat e errëta të ish-kinostudios, këngëtarja e njohur Çiljeta Xhilaga ka rënë viktimë e një banditi ndërsa pregatitej për festën e Hallouinit. "Kisha ardhur në kinostudio për të gjetur një kostum të përshtatshëm për Hallouin," - tregoi Xhilaga. Sipas të dhënave, banditi i maskuar si Landi i West Side Family e ka detyruar Çiljetën t'i japë dy kungujt e saj. "Ishte shumë i frikshëm, ishte maskuar tamam si Landi! Ne fillim kujtova se ish vertet ai por pastaj më nxorri një alamet tytë... pistolete. Që-kshuuuu, u detyrova t'ia jap kungujt e mi. Goxha kunguj, masa 8, tamam për Hallouin." Këngëtarja Çiljeta Xhilaga dukej e traumatizuar nga ngjarja, por siguroi gazetarët se edhe këtë vit ajo do të trembë shqiptarët me një kostum të ri surprizë.
No comments:
Post a Comment