10/20/09

Lajmet skiÇ - 21 Tetor 2009

Tiranë - Ministri i transporteve Sokol Olldashi prezantoi dje projektin e kësaj ministrie për të ndërtuar korsi të veçanta për shoferët e dehur përgjatë të gjitha rrugëve të vendit. "Këto korsi janë mbajtja e premtimit që u bëmë të gjithë shoferëve pijanecë e kamikazë në vend" - u shpreh ministri. "Tashmë të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk duan të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, që nuk njohin sinjalet rrugore, apo që janë të dehur në timon, nuk do të jenë më të detyruar të durojnë qytetarët e ngathët që ngasin me kujdes." Plani për korsitë kamikaze do të kushtojë rreth 273 miljonë euro dhe parashikohet të përfundojë brenda vitit 2011. Shiritin e përurimit të këtij projekti e preu Zv ministri Edmond Haxhinasto me makinën zyrtare, të cilën e ngau pa duar.

Romë - Publicisti i njohur Fatos Lubonja u nderua dje në Romë me çmimin "TeleSokrati" i cili i jepet personit që shfaqet më gjatë dhe më shpesh në ekranet televizivë. Me mbi 63,000 orë kohë televizive dhe mbi 3000 analiza dhe replika Lubonja mundi për sezonin 2008 - 2009 udhëheqësin venezuelan Ugo Çavez që grumbulloi 49,153 orë kohë televizive. "Jam i lumtur ta pranoj këtë çmim, por ndërkohë jam i trishtuar për gjendjen mizerrabël të medias shqiptare" - u shpreh Lubonja. "Në mediat Shqiptare shfaqen vetëm pak njerëz që i bëjnë lavazh truri dhe manpulim publikut për interesave të atyre që e kontrollojnë sistemin mediatik. Personalisht kam shumë më tepër për të thënë, por më censurojnë." Ndërkohë mësohet se politologu Artur Zheji e ka quajtur këtë çmim një farsë mediatike.

Pezë
- Një grup deputetësh të Partisë Socialiste kanë shpallur të martën angazhimin e tyre në "Lëvizjen për mendimin njësoj". Lëvizja, e iniciuar nga deputetët Tahiri dhe Shalsi ka për qëllim mohimin e përgjegjësive brenda Partisë Socialiste për "s'fitoren" e 28 qershorit. Pasi njoftoi se ka ndërruar emrin nga Eduard në thjeshtë Edi, deputeti Shalsi, u shpreh në këtë takim se ” jemi këtu në bazë të socialistëve sepse besojmë se Partia Socialiste duhet të qëndrojë larg strategjisë së parlamentarizmit dhe do të punojmë për minimizimin e përgjegjësive brenda të majtës mbi arsyet pse i s'fituam zgjedhjet. Lëvizja për mendimin njësoj e deklaron, qartë dhe prerë; është i sharë rëndë kush nuk e mendon si ne" - përfundoi fjalën e tij Edi Shalsi.

Tiranë - Në një konferencë për shtyp pasditen e djeshme budallai i lagjes Ali Demi në kryeqytet, 29 vjeçari Ledion Llapa (asnjë lidhje me Ver Llapën) njoftoi se rreth orës 1:43 të mëngjesit do të postojë një koment idiot në blogun Peshkupaujë.com. "Pasi e mendova gjatë, vendosa që gjatë natës të hap forumin dhe pasi të zgjedh një temë do shtyp butonin përgjigju dhe do shkruaj një koment, duke u kujdesur të përdor sa më pak mendim, të përdor vetëm gërma të mëdha dhe asnjë shenjë piksësimi." - tha Llapa. "Edhe pse nuk e di ende çfarë komenti do të jetë, mund ta them me bindje se do të jetë një çmenduri. Ju garantoj një kombinim të injorancës me agresivitet dhe budallallëk." I pyetur për detaje të mëtejshme idioti Ledion Llapa, që shkruan me pseudonimin "Mendimtari", tha se gjasat janë që komentin ta postojë aksidentalisht dy herë.

Washington - Në seancën e parë dëgjimore mbi taktikat abuzive në burgun Guantanamo, komisioni hetimor arriti në përfundimin se i burgosuri Omar Kadër nuk është në gjendje të pranueshme për të dëshmuar mbi torturat psikologjike që ka vuajtur. "Për shkak të gjendjes së brishtë mendore që ky i dyshuar vuan si pasojë e viteve të kaluara nën tortura psikologjike dhe kushte cfilitëse, Zoti Kadëri nuk është i besueshëm si dëshmitar," - u shpreh kryetari i komisionit Xhorxh Çejni. "E vërteta është se një njeriu që i ka vuajtur në kurriz torturat e mbytjes me ujë, pagjumësinë, dhimbjen dhe stresin e shkaktuar nga zhurma nuk mund t'i zihet besë." Zoti Çejni shtoi se për rrjedhojë dëshmia e mëparshme, ku Omar Kadër pranon aktivitetin e tij terrorist, do të mbetet në fuqi.

No comments: