Analisti, publicisti, showman-i dhe gazetari i njohur Mustafa Nano tha dje për reporterët e Klubit të Mëngjesit se është i bindur që një pjesë e popullatës mund të arrijë kënaqësi seksuale vetëm duke fantazuar për Mustafa Nanon. "Në fillim e pata vetëm si ndjesi, thjesht më vajti mendja, por me kalimin e kohës u binda, dhe tani nuk kam më asnjë dyshim që një fashë e caktuar e popullatës kanë një obsesion të fortë seksual për mua.", u shpreh Z. Nano. "Me thënë të drejtën, edhe më bëhet qejfi, por edhe më shqetëson ky fakt. Imagjino ç'mund të ndodhë nëse nuk shkruaj më, apo nëse lë ekranin... ata mund të shpërthejnë." I pyetur për detaje, Nano na tha se të obsesionuarit seksualisht pas tij, janë burra dhe gra, të të dyja sekseve.
Specialistët e Institutit të shëndetit Publik në Tiranë izoluan dje një gen që do zgjasë jetën e njeriut deri në 160 vjetë. Geni u gjet në kampionin e gjakut të kryeministrit Berisha. Sipas specialistëve geni i pazbuluar më parë ndikon mbi mitokondrinë, duke lëshuar një enzimë që ngadalëson plakjen. Drejtori i institutit, Proletar Haxhia tha se shkenca ka kohë që e kërkon një gen të tillë por ai mund të gjendej vetëm në trupin e një njeriu të përkryer. "Falë genit të kryeministrit jetëgjatësia e njeriut do të dyfishohet" - u shpreh Haxhia. Nga ana e tij, kryeministri Berisha u shpreh se i vinte keq që nuk mund të bënte më shumë për njerëzimin këtë javë. Akuzave të Partisë Socialiste se zgjatja e jetës së popullatës do të shkaktojë mbipopullim, mungesë strehimi dhe uri, ISHP garantoi se Kryeministri do t'i zgjidhë edhe këto probleme javën që vjen.
Tiranë - Lëvizja "Shtrihu!" njoftoi pasditen e djeshme për mediat se një studim i kryer nga kjo lëvizje zbuloi se pohimet e vjetra se librat i çojnë lexuesit në vende të largëta e misterioze nuk janë veçse gënjeshtra ordinere. "Që në fëmijëri, prindër e mësues, na kanë mashtruar se leximi i librave të çon në vende të panjohura, në zbulim të botëve të reja. Gjepura! Studimi ynë gjeti se lexuesit nuk shkojnë kurrkund. Jemi të revoltuar, pasi 100% e pjesmarrësve që vëzhguam lexonin ulur ose shtrirë, dhe nuk lëvizën nga vendi asnjë centimetër gjatë leximit. Është e qartë se ky mashtrim është një komplot i vëllazërisë së bibliotekareve. Titulli i profesionit të tyre flet vetë." Në mbyllje, Lëvizja "Shtrihu!" bëri thirrje për bojkotimin e panairit të librit që mbahet në muajin nëntor në kryeqytet.
Lezhë - Kryetari i partisë tjetër demokristiane, emrin e së cilës fatkeqsisht nuk e mbajmë mend, Z. Nikollë Lesi, mori dje postin e Zv. Ministrit të Turzmit. Pasi u sigurua që në sallën e hotelit të gjuetisë ku u bë prezantimi i shtypit nuk kishte kamera të fshehura, Zv. Ministri Lesi u shpreh se ndihej i nderuar në pozicionin e ri dhe u betua tre herë se do punojë fort për ekspozimin e vlerave shqiptare. "I gjithë stafi im do të jetë i angazhuar në thithjen e turistëve të huaj," - deklaroi Lesi, pa pranuar të qartësojë ç'forma thithjesh të turistëve do të përdorë ky dikaster. Në fund të mbledhjes, Lesi deklaroi para stafit që do punojë nën të se "punën e lënë në mes nga ish ministri Pango do ta shtyjë përpara edhe më fort"
No comments:
Post a Comment