11/7/09

Lajmet skiÇ - 6 Nentor 2009

VLORË - Pas 19 vjetësh, 34 vjeçari nga Vlora Roland Gjetja ka vendosur të ndalë përpjekjen në kërkim të vetvetes. "Unë e nisa mirë me thënë të drejtën, në gjimnaz pata shtytje se lexova Kamynë e që atëhere jam përpjekur fort për të gjetur kuptimin e thellë jetës, nisa një udhëtim në kërkim të vetvetes. Pas Kamysë, lexova Sartrin. Bëra gabim kur lexova Gaqo Bushakën, se aty e humba rrugën. Derri fliste. Më vonë u futa në PD, dola se më dukej vetja PëDër, u futa në PS, dola se më dukej vetja PëSëje. 19 vjetë janë boll, kam vendosur ta lë me kaq kërkimin për vetëveten, tani e tutje të premteve do shoh "Çanin" si gjithë të tjerët." Z. Gjetja thekson për "Klubin e mëngjesit" se ka një mundësi të vogël që t'i drejtohet Aida Shtinos dhe stafit të "Njerëz të humbur" për ndihmë.

ELBASAN - Në seancën e së enjtes Kuvendi i Shqipërisë aprovoi shitjen e qytetit të Elbasanit për skrap. Kundërshtimi i deputetëve elbasanllinj nuk ka mjaftuar për të ndalur vendimin e Kuvendit që qyteti i Elbasanit dhe rrethinat t'i shiten firmës Sllovene "Plloç International" si material skrapi. Kjo është në të mirë të qytetarëve të Elbasanit theksoi deputeti Mark Marku, ne duhet të veprojmë në kohë që ta shfrytëzojmë këtë ofertë. Pasi të jetë çmontuar dhe shkrirë, qyteti i Elbasanit pritet të nxjerrë 6 miljonë tonë çelik, 1.7 miljonë tonë alumin dhe 79,000 mijë tonë bakër. Të pranishëm në seancë, përfaqësueshit e "Plloç International" përshëndetën vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe siguruan se çmontimi dhe shkrirja e Elbasanit është alternativa më e mirë për qytetin. Punimet pritet të nisin të hënën me djegien e bibliotekës së qytetit.

TIRANË - Të ndërgjegjësuar për dëmin që i shkaktohet mjedisit nga sasia e madhe e plehrave që prodhon kryeqyteti, shoqata e të droguarve e mbështetur nga Bashkia e Tiranës, shpalli dje nismën "1 Age - 2, 3 shokë". Nisma e shoqatës së narkomanëve synon t'i nxisë përdoruesit e heroinës të mos përdorin age të reja çdo herë që drogohen. "Shumë prej nesh e përdorim agen një herë për tu droguar, dhe pastaj e hedhim në plehra pa menduar se plehrat janë një kosto për ambientin." - thotë për mikrofonin tonë Gëzim Peçi, drogaxhi ordiner dhe kryetar i shoqatës. "Nëse gjen një age poshtë urës, mos nguro por merre dhe përdore. Ndihmo ta mbajmë Tiranën të pastër." Rrapi këshilloi përdoruesit e drogës se fshirja e ageve të përdorura me gazetë është e mjaftueshme për pastrimin e tyre.

No comments: