11/17/09

LS: TAÇI OIL PRIVATIZON GJYKATËN E TIRANËS

TAÇI OIL PRIVATIZON GJYKATËN E TIRANËS

TIRANE - Qeveria shqiptare miratoi dje privatizimin e Gjykatës së Tiranës nga biznesmeni Rezart Taçi. I konsideruar nga kryeministri si privatizimi më i suksesshëm deri më tani, privatizimi i Gjykatës së Tiranës ka qënë kryefjala e mbledhjes së djeshme të qeverisë. "Me këtë privatizim e thellojmë me sukses reformën në drejtësi", u shpreh kryeministri për anëtarët gjithmonë të buzëqeshur të kabinetit. “Shqiptarët më të drejtë janë ankue se u ka mungue drejtësia. Tani është ekonomi e tregut. privati e jep drejtësinë me çmimin që e vendos tregu,". Nënshkrimi i marrëveshjes së shitjes do të nënshkruhet sot në mesditë në Ambientet e burgut 312 në Kryeqytet ku ndodhet rezart Taçi, pronari i ri i Gjykatës së rrethit Tiranë.


PS PRET PERFAQESUESIT E PERENDISE

TIRANE - Kryesia e Partisë Socialiste ka nisur negociatat me të madhin Zot për të siguruar mot të mbarë gjatë 20 nëntorit dhe ditëve në vijim. Sipas njoftimit për shtyp të Partisë Socialiste gjatë takimeve midis të dërguarve të Mbretërisë Qiellore dhe përfaqësuesve rozë është rënë dakord se është koha për të hapur kutitë. "Ne qëndrojmë në traditën e Mojsiut i cili e hapi detin e kuq për të shpëtuar nga skllavëria popullin e izraelit." mësohet të ketë thënë në takim kryetari i PS, Edi Rama duke theksuar se misioni i Partisë Socialiste është një misjon hyjnor. "Një thirrje që i ngjan asaj të Gjon Pagëzorit në Shkretëtirë i cili gjithashtu priste të hapej qielli, ashtu sikundër PS pret dhe lutet për hapjen e kutive." mbyllet deklarata për shtyp e selisë rozë.


100% TE FEMIJEVE SHQIPTARE, SHUME TE ZGJUAR

Sipas një sondazhi të kryer nga Zogby International gjatë vitit 2009 rezultoi se sipas prindërve 100% e fëmijëve shqiptarë janë shumë të zgjuar. Të gjithë prindërit e anketuar i klasifikuan fëmijët e tyre si shumë të zgjuar. 44% e të anketuarve u shprehën se kanë fëmijë shumë inteligjentë të cilët po të duan mund të bëhen të parët e klasës, ndërkohë që 49% e prindërve u shprehën se kanë fëmijë shumë të zgjuar por që nuk shtrohen sa duhet në mësime. 7% e prindërve u shprehën të bindur se fëmijët e tyre mund të konsiderohen gjeni. Prindërit i përshkruan fëmijët e tyre si të zgjuar, të mprehtë, kuriozë, vëzhgues, "që i kapin të gjitha", "që thithin menjëherë".


FQINJET: VRASESI I PASTRUESVE, NJERI I QETE

MAMURRAS - Fqinjët dhe kolegët e Qerim Katilit, janë shprehur të shokuar nga arrestimi i tij mëngjesin e së premtes. 47 vjeçari Katili i lindur në shpellë dhe i arsimuar në Tiranë akuzohet si vrasës serial për vdekjet e 13 pastrueseve midis vitit 2001 dhe 2009. "E habitshme që u arrestua ky njeri. Ka qene tip vrasësi, dukej gjaksor si njeri. Ne kemi pasur marrdhënie të mira, përveç asaj here kur varrosi një kufomë në baçen time" thotë Apostol Palla i cili jeton në shgtëpinë ngjitur me atë të Qerim Katilit. "Nuk para përzihej shumë me kolegët e tjerë në punë," na tregon shefja e tij Arabeska Xhani, "shihte punën e tij, vriste pastruese. Njeri i qetë. Vetëm pastruesen desh e mbyti njëherë, përndryshe ka qënë model," - shton ajo.


FUNDJAVE E MBARE PER DHIMI VIÇIN

KORÇË - Pijeneci me nam i qyteti të Korçës, Dhimi Viçi njoftoi të enjten se ka derdhur gjithë dellin e tij krijues për të pregatitur një plan të mirë për fundjavën. I përmbledhur me pak fjalë plani i Z. Viçi synon që ai të dehet paq me alkoolin që trupi e tij e kërkon aq fort. "Pasi e mendova gjerë e gjatë, vendosa se fundjavën duhet ta kaloj duke u bërë tapë me birrë dhe raki." - na tregon Dhimi Viçi. "E kam krijuar vetë këtë plan, edhe pse frymëzimin fillestar e kam marrë duke lexuar Homerin. Por jam munduar të jap nga vetja. Do nis të pij pasi të ha mëngjesin." Strategjia kyçe e planit të Z. Viçi është që ta kthejë nga birra në raki në orën 23:00 të së shtunës.


DY LACA BIEN NE NJE HUNDELESH

TIRANË - Sipas hundëleshit kryeqytetas Edvin Kafka dy lacat e Rrugës Bardhyl Ronaldo Mitka me pseudonimin Kaushi, dhe Gerti Zhubra e panë menderen ngushtë kur u kapën me Edvin Kafkën. "Këtë herë e krruajtën me hundëlesh tamom, se nuk ka tangërrllik me mu." thotë Kafka për krruajtjen, e cila sipas dëshmitarëve okularë ishte gabimi më i madh në jetën e dy lacave. "Ne si banorë e prisnim që po të vazhdonin në këtë rrugë lacat do ta krruanin me ndonjë hundlesh dhe ndodhi." shpjegon banori i zonës Nesti Xhixha. I pyetur për planet që ka për të ardhmen hundleshi Kafka na thotë, "Unë do t'i shkrij ata si rob. Do i mbaroj, do ia...biip".

11/12/09

Lajmet skiÇ - 11 Nentor 2009

VLORË - Sipas paparacëve të klubit të mëngjesit mësohet se kant-autori Alban Skënderaj mbetet edhe sot e kësaj dite i shqetësuar nga "Diçka qe e ngacmon, Diçka qe e pushton, Diçka qe nuk arrin, Diçka që vjen nga ti..." I pyetur nëse ka ndonjë ide për atë që e mundon vetë Skënderaj u përgjigjj për mikrofonin tonë duke thënë, "tiii e diii se çfare më mungon mua, je ajo qe vjen një here në jetë, sa dua të dua... por ti e diii se un' nuk them aq lehte të dua..." Kur e pyetëm Albanin nëse mund ta ndihmonim disi ai u përgjigj "Jo" dhe vazhdoi duke thënë, "Më mirë të isha unë një shkëmb dhe dallget te rrihnin ne koken qe s'me dhemb..."

TIRANË - Nga e hëna e 9 nëntorit debatet e furishme në programin "Opinion me Blendi Fevziun" në tv Klan po shoqërohen nga ritme të nxehta latine. "Salsa, Merenge, Bachata... ritmos Latinos", thotë për Mikrofonin tonë Blendi Fevziu teksa e ndeshim duke praktikuar hapat e një kërcimi Kubanez. Grupi muzikor Los Putos Locos u vendos mbrëmë në qendër të studios së Opinion, i barazlarguar nga palët në debat. Ritmet latine shoqëruan emisionin përgjatë gjithë transmetimit dhe në një moment kritik debati Sonila Meço rrëmbeu deputetin Mark Marku në një tango, moment që u shëoqërua nga një vërrshim sms-sh në studio. "Këtë sezon do ta mbajmë me ritme latine, ça, ça, ça!!" - na thotë Fevziu, - "Në pranverë do sjellim dema dhe matadorë."

SHKODËR - Në një konferencë shtypi me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, mbajtur paraditën e djeshme në ambientet e Kafes së Madhe, pensionisti Nikolin Prenga zbuloi për mediat planin e tij për të parë një mori me telenovela në muajt në vazhdim. "Do shof telenovela pa nalun fare," - pohon Prenga, ish marangoz i nderuar në qytetin e Shkodrës. "100 vitrinat, Kërkohen Meshkuj i ndjek por do e ndjeki patjetër edhe at' Parajs' Tropikale". Zoti Prenga shtoi se nga telenovelat e reja preferon Rebelet dhe Analia dhe se ndihet shumë i zhgënjyer nga "Stuhi dashurie" që sipas Prengës ka të njëjtin stil, zhvillim dhe tipe personazhesh si 'Magji Dashurie". "Ia ka kopju krejt mar, edhe teshat ia ka kopjue."

SHKODËR - Marangozi Albert Njashatani nga Shkodra ka zbuluar të martën veglën e tretë të këtij zanati: darën. Deri të hënën në darkë marangozët e gjithë botës njihnin vetëm dy vegla zyrtare në profesionin e tyre, sharrën dhe çekiçin. Prej vitesh marangozët dyshonin se ekzistojnë vegla të tjera por deri më tani asnjë nga këto teori nuk ishte provuar. Njashtani na tregon se e përdori darën për të nxjerrë një gozhdë të shtrembërt. "Aty për aty më shkoi mendja që Dara mund të konsiderohet zyrtarisht një vegël", shpjegon Alberti. "Sepse vegël quhet çdo instrument që shërben për të ndihmuar në kryerjen e një pune. Psh në rast se unë përdor limën për ta ngrënë pak kët' drunin, edhe lima do të quhej një...Eeeeeeeej!!!!"
Më falni dëgjues por sapo njoftohemi se marangozët në të gjithë botën po festojnë zbulimin e veglës së katërt: Lima.

DURRËS - Pas ngritjes së problemit të zhurmave në kryeqytet nga gazeta "Shekulli", së fundi për ndotjen akustike në Tiranë, ka nisur të ankohet edhe qyteti i Durrësit i cili në një notë proteste i kërkon Tiranës që të mos bëjë kaq shumë zhurmë natën se na çmëndet - jeni të droguar!. "Neve vdiqëm prej juve mi monaaa gjithë natën me zhurmat e Tironës, mbet Durrsi pa gjumë kot nasi koti, qi ta merrni vesh. S'kom nigju qytet qi gërrhet si juve." - na thotë Zëdhënësja e Bashkisë së Durrësit Currile Torra. Nga ana e saj Tirana është përgjigjur se janë të ardhurit nga rrethet e tjera ata që shkaktojnë zhurmën por gjithashtu theksoi se Durrësi është qytet prapanik që fle pa mbaru "Fiksi".

POGRADEC - Absolutisht të gjithë banorët e Pogradecit u gjendën të vrarë sot në mëngjes, pas një beteje me armë zjarri që zgjati gjatë gjithë natës. Grupet mjekoligjore nga rrethi i Korçës konfirmuan ngjarjen. "Krimi nuk ka qënë asnjëherë kaq i lartë në Pogradec." u shpreh nga selia rozë Taulant Balla, ndërkohë që Ministri i shteti Genc Pollo e akuzoi partinë Socialiste se po thyen kodin e "lacit". Burime të ministrisë konfirmuan se edhe zëvendësimi i popullit armëdashës Pogradecare me një popullsi më të butë dhe më paqedashëse, ka qënë brenda planeve të ministrisë. "është koha për një Pogradec të ri, të ndryshëm. Ky është ndryshimi" thekson burimi. Në lidhje me vrasjet Policia e shtetit njofton se ka shumë prova por asnjë të arrestuar. Këta vranë njëri tjetrin, e nuk dihet kush qëlloi i pari.

11/7/09

Lajmet skiÇ - 6 Nentor 2009

VLORË - Pas 19 vjetësh, 34 vjeçari nga Vlora Roland Gjetja ka vendosur të ndalë përpjekjen në kërkim të vetvetes. "Unë e nisa mirë me thënë të drejtën, në gjimnaz pata shtytje se lexova Kamynë e që atëhere jam përpjekur fort për të gjetur kuptimin e thellë jetës, nisa një udhëtim në kërkim të vetvetes. Pas Kamysë, lexova Sartrin. Bëra gabim kur lexova Gaqo Bushakën, se aty e humba rrugën. Derri fliste. Më vonë u futa në PD, dola se më dukej vetja PëDër, u futa në PS, dola se më dukej vetja PëSëje. 19 vjetë janë boll, kam vendosur ta lë me kaq kërkimin për vetëveten, tani e tutje të premteve do shoh "Çanin" si gjithë të tjerët." Z. Gjetja thekson për "Klubin e mëngjesit" se ka një mundësi të vogël që t'i drejtohet Aida Shtinos dhe stafit të "Njerëz të humbur" për ndihmë.

ELBASAN - Në seancën e së enjtes Kuvendi i Shqipërisë aprovoi shitjen e qytetit të Elbasanit për skrap. Kundërshtimi i deputetëve elbasanllinj nuk ka mjaftuar për të ndalur vendimin e Kuvendit që qyteti i Elbasanit dhe rrethinat t'i shiten firmës Sllovene "Plloç International" si material skrapi. Kjo është në të mirë të qytetarëve të Elbasanit theksoi deputeti Mark Marku, ne duhet të veprojmë në kohë që ta shfrytëzojmë këtë ofertë. Pasi të jetë çmontuar dhe shkrirë, qyteti i Elbasanit pritet të nxjerrë 6 miljonë tonë çelik, 1.7 miljonë tonë alumin dhe 79,000 mijë tonë bakër. Të pranishëm në seancë, përfaqësueshit e "Plloç International" përshëndetën vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe siguruan se çmontimi dhe shkrirja e Elbasanit është alternativa më e mirë për qytetin. Punimet pritet të nisin të hënën me djegien e bibliotekës së qytetit.

TIRANË - Të ndërgjegjësuar për dëmin që i shkaktohet mjedisit nga sasia e madhe e plehrave që prodhon kryeqyteti, shoqata e të droguarve e mbështetur nga Bashkia e Tiranës, shpalli dje nismën "1 Age - 2, 3 shokë". Nisma e shoqatës së narkomanëve synon t'i nxisë përdoruesit e heroinës të mos përdorin age të reja çdo herë që drogohen. "Shumë prej nesh e përdorim agen një herë për tu droguar, dhe pastaj e hedhim në plehra pa menduar se plehrat janë një kosto për ambientin." - thotë për mikrofonin tonë Gëzim Peçi, drogaxhi ordiner dhe kryetar i shoqatës. "Nëse gjen një age poshtë urës, mos nguro por merre dhe përdore. Ndihmo ta mbajmë Tiranën të pastër." Rrapi këshilloi përdoruesit e drogës se fshirja e ageve të përdorura me gazetë është e mjaftueshme për pastrimin e tyre.

11/3/09

Lajmet skiÇ - 3 Nëntor 2009

Të tejngarkuar me reformën e thellë që po ndërrmerr sektori i shëndetësisë, si një nga 23 prioritet më prioritare të qeverisë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për mediat se ka vendosur të shtyjë për në vitin 2010 ardhjen e virusit të gripit të derrit në Shqipëri. Këshiltari i Ministrit, Aqif Tështiu tha për klubin e mëngjesit se ministria e shëndetësisë nuk ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar virusin A H1N1 në këtë moment, ndaj ka vendosur ta shtyjë futjen e tij në vend për vitin 2010. "E pezulluam gripin vetëm përkohësisht, pasi jemi shumë të zënë me reformën, dhe ngaqë kemi përpara festat e Nëntorit dhe vitin e ri." - sqaron z. Tështiu. Opozita nga ana e saj e kundërshtoi dje vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë duke i kërkuar Qeverisë të respektojë angazhimet e marra nga vendi ynë me nënshkrimin e MSA-së.

Policia e shtetit informoi publikun sms-të e shumta që kanë mbërritur në numrin e kontaktit, të cilat njoftonin për rrahjen e gazetarit Mero Baze pranë një lokali në qendër të Tiranës. "Ejani shpejt se po zihen dy maskarenj!", ky ka qënë mesazhi i parë që na ka mbërritur nofton zëdhënësi Erzen Kërrbuti. Mesazhi i dytë thotë;"I ranë tullacit me tullë tullës" dhe mesazhi i tretë që mbërriti në numrin e policisë së shtetit thotë, "Qenkan ca alamet femrash këtu te lokali i Turit". Mesazhi i fundit ka arritur të vërë në lëvizje forcat e policisë së disa komisarjateve të cilat janë nisur për në bllok, ku kanë qëlluar në vendrrahjen e Bazes. Gazetari Andi Bushati, i tronditur deri në lotë pasi ishte dëshmitari parë i skenës e drurit, u ka teguar forcave të rendit se Rezart Taçi ishte larguar nga vendngjarja me një anije kozmike.

Tiranë - Ministria e Arsimit shpalli dje se pas suksesit të grevës së urisë së studentëve në Vlorë ka vendosur që ta bëjë grevën e urisë një kusht për marrjen e diplomës. "Kemi të bëjmë me një sistem 3 vjeçar studimesh bachelor që ndiqet nga një grevë urie. Pas kryerjes me sukses të grevës studentit jepet diploma e ciklit të parë" - na shpjegon modelin e ri Sorrollatje Vërrdalla, sekretare e Rektorit të Universitetit të Tiranës. "Nuk do të ketë kalim në ciklin e dytë për studentët që nuk kanë kryer grevën e urisë. Doktoraturën mund ta vazhdojnë vetëm ata studentë që pas grevës kanë patur edhe një periudhë konfrontimesh fizike me stafin. Këta dy elementë janë janë të domosdoshëm për formimin e lartë." Pas njoftimit, Studentë të Univ. të Shkodrës kërcënuan se nëse nuk hiqet kushti i grevës së urisë, do të futen në grevë urie.

LEZHË - Pronari i hotelit te djegur ne Shen Gjin gjatë fundjavës së kaluar u betua se do ta gjejë zjarrin e njohur si Bubulaku që i shkrumboi kompleksin turistik "Ngrohtësia" dhe se kur ta gjejë "do ta shuajë njëhërë e përgjithmonë. Gjovalin Pisha vuri dorën në zemër kur u betua përpara mikrofonëve tanë se do ta ndjekë deri në vdekje zjarrin që i shkaktoi mbi 2 miljonë dollarë dëme. "Unë nuk ia fal burrash!" u shpreh z. Pisha. "Une do ta ndjeki at zjarr këmba këmbës. Nuk asht hera e pare që m'bi nqaf. Tesh, zgjidhet me kanun kjo punë. o ai o unë ka mbet". Më gjithë përpjekjet e misionarëve të paqes për t'i ulur në një tavolinë Zotin Pisha dhe zjarrin në fjalë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të takohet me tjetrin.