2/11/14

Vdekja e një artisti, dhe vdekja brenda mendjes

Skënder Sallaku do kishte qeshur edhe një herë me lotë po të shihte kronikat e vdekjes së tij në televizion. E kam fjalën për ato që mbyllen me ngushëllimet e politikanëve kryesorë në vend.

Sado që mundohem ta përmbaj veten, e gjej të pështirë, dhe një mungesë respekti e nderimi - përmes një përtacie dhe injorance monumentale, që në vend se të dëgjojmë nga kolegët dhe të dashurit e tij, televizionet na lexojnë Facebook-un e z. Edi Rama dhe deklaratat e z. Lulzim Basha për rastin e vdekjes së një artisti të madh.

Por cfarë lidhje kanë këta me jetën dhe veprën e Skënder Sallakut? Po Ilir Meta, e Sali Berisha me Vace Zelën? Po Me Pashkën, Ramazanin, Krishtlindjen, c'lidhje kanë që na i nxjerrin vit për vit me rradhë? A ka kuptim kjo që ndodh këtu?

Politikanët mirë bëjnë që ngushëllojnë, s'e kam me ata kësaj here, por me median që ka rënë nën nivelin mesatar të shoqërisë, dhe as e kupton dot sa dobët është. Aq sa konfirmon se kur nuk është e shitur me para është e skllavëruar nga paaftësia e saj për të parë përtej.

Skënder Sallaku, Artist i Popullit
25 janar 1935 - 11 Shkurt 2014