7/16/11

Iluzioni i Shqipërisë Demokratike

Blendi Salaj

Iluzioni i Demokracisë

Procesi i numërimit dhe certifikimit të zgjedhjeve lokale përfundoi dje, kur Gjykata e Tiranës njohu kryetarin e ri të bashkisë. Ky proces, sfilitës e poshtërues, ngjan tanimë si skena e një grabitjeje banke, e shfaqur në një film me xhiro të ngadalta. Grabitja mbaroi. Na vodhën. Kur them na vodhën, nuk po e njësoj veten dhe ty lexues i nderuar me Edi Ramën apo me Partinë Socialiste, sepse viktimat e vërteta të kësaj vjedhjeje nuk janë ata, por ne, qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti. Ajo që u grabit ishte vota, duke provuar edhe një herë atë çka shohim gjithmonë e më qartë; në Shqipëri Demokracia nuk ekziston asfare, por vetëm iluzioni i saj. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor japin provat se interesat e biznesit, paraja e pistë dhe marrëveshjet e prapaskenave janë ato që vendosin realisht se çfarë bëhet në këtë vend. Nuk ka votë të lirë në Shqipëri, nuk ka as Demokraci, ka vetëm pazare. As unë, as ti i dashur lexues nuk vendosim mbi asgjë me votën tonë. Në të vërtetë vendosin ata, mjeshtrit që tërheqin fijet, bizneset e mëdha, korporatat ndërkombëtare, ndërtuesit, trafikantët, të fortët. Vendosin ata me KQZ-rat dhe Kolegjet e tyre Zgjedhore, sepse ata e dinë se kush duhet ta drejtojë bashkinë e kryeqytetit. Fushatat zgjedhore, me miliona eurot e shpenzuara në to, nuk shërbejnë dhe aq për të manipuluar mendjet në mënyrë që t’i votojmë, por për të na manipuluar të besojmë se procesi zgjedhor funksionon. Në fakt nuk funksionon. Zgjedhjet bëhen sa për të bërë sikur ka zgjedhje. Një herë në dy vjet, Iluzionit të Demokracisë i jepet një dorë e freskët boje, në këtë mënyrë iluzioni mbetet i besueshëm, me ngjyra të forta. Blu, e Kuqe, Rozë.

Totalitarizmi i ri

Ata, mjeshtrit e prapaskenave kanë pushtetin. E kanë blerë politikën, i kanë shbërë intitucionet krejt. Ata kanë televizione, radio, gazeta dhe revista për të kontrolluar atë që shohim dhe lexojmë. Pushtetet e prapaskenës kanë analistë me pagesë dhe lobistë të paqetë, që shkruajnë çdo ditë në mënyrë që të na diktojnë çfarë duhet të mendojmë. Ata kanë biznese, banka, universitete, prona të vjedhura nga publiku. Ata kanë armë dhe vrasës me pagesë. Ata mjeshtër të padukshëm kontrollojnë shtetin, sepse ata e kanë në të vërtetë pushtetin. Ata kanë paranë ndaj shpenzojnë miliona euro për të na shurdhuar, qorruar dhe budallallepur. Me ushtritë e kalemxhinjve rreken të na bindin se jemi në një sistem Demokratik, duan të na mbushin mendjen se jetojmë në Shtetin e së Drejtës. Por ky është valiumi i tyre për ne. Ky i dashur lexues është totalitarizmi i ri. Në të vërtetë ne jetojmë nën hyqmin e tyre. Grindemi për të majtën dhe për të djathtën, ndërsa ata qeshin me zellin tonë ideologjik. Qeshin sepse ata nuk kanë asnjë ideologji. Mbi ta nuk ka asnjë ligj. Ky totalitarizëm i ri që na ka pllakosur nuk ka nevojë të jetë as i majtë, as i djathtë. Është si një sistemi i ri feudal. Totalitarizimi i ri nuk e tregon forcën në shesh të mejdanit si komunistët a fashistët – ai luhet në prapaskenë, duke kontrolluar qeveritarët dhe sistemin e drejtësisë. Totalitarizimi i ri vret dhe vjedh çdo ditë pa bërë lajm. Ky lloj sistemi nuk ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën, vetëm sa e manipulon drejtësinë përmes interpretimesh sikundër bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky lloj totalitarizmi nuk na e heq të drejtën të kemi zgjedhje, thjesht i manipulon ato. Ky totalitarizëm nuk na e heq të drejtën e fjalës, por na lejon të llapin kot më kot. Na lejon të kemi opinione, por vetëm për tema idiote, të stisura për të na shpërqendruar nga rreziku i vërtetë që na kërcënon. Çështja e Kompleksit të ri Parlamentar është një shembull i mirë. Lobet e interesave të mëdha ekonomike po kërkojnë një shesh të ri ndërtimi për megastrukturat. Kanë vendosur të ndërtojnë aty ku ndodhet Kuvendi aktual dhe për të fshehur qëllimet e vërteta luajnë me emocionet e publikut. Duan ta bëjnë qytetarin të ndjejë revoltë, por të drejtuar gabim. Mjeshtrit e prapaskenës na flasin për fantazmën e Enver Hoxhës, për të na fyer me paturpësinë e tyre. Përdorin këta deputetë ushtarë për të trazuar debate të kota në popull, në mënyrë që të mos jemi të vëmendshëm ndërsa zaptojnë Tiranën pak nga pak, e na shtypin ngadalë nën peshën e tyre në rritje. Krijojnë kriza pas krizash për të na mpirë, për të na vjedhur, në shtëpitë tona, te fëmijët tanë. Dita mbas ditës po na vjedhin Atdheun, po na shkelin ëndrrat, po na vrasin shpresën.

Sistemi i Antivlerave

Nëse dëshironi shembuj të mbrapshtësisë së rendit ku jetojmë, shikoni sistemin e bjerrur të vlerave në Shqipëri. Kjo nuk është Demokracia i dashur lexues. Në këtë vend hajduti rreh gjoksin dhe admirohet si djalë i zoti, të arrish të vjedhësh është kthyer në meritë. Në këtë vend drejtësia ka një rrjetë të çuditshme, e cila zë vetëm peshqit e vegjël, ndërsa peshqit e mëdhenj kalojnë lirisht nëpër vrimat e saj. Sot në Shqipëri i pandehuri i bën presion prokurorit, vrasësi lirohet, gjykatësi mund të blihet lirisht. Në Shqipëri të rinjtë pothuajse nuk kanë më shans të mësojnë se çfarë është virtyti dhe puna e ndershme. Në këtë vend njerëzit vdesin si qentë në spitalet shtetërore, ose shesin trupin për të shpëtuar jetën te privati. Në këtë vend po braktiset arsimi, po harrohet dija, po humbet dinjiteti i njeriut. Kjo nuk është Demokracia, aspak!

Në Shqipëri ne ende flasim për Demokracinë, për Shtetin e së Drejtës, për Integrimin Europian e të tjera simbole linguistike si këto. Në Shqipëri ende besojmë në mitin e një vendi që do të bëhet më mirë. Por nëse qytetarët nuk bashkohemi për të kundërshtuar me trupat tanë këtë tirani pa emër e pa fytyrë që po na shtyp, asnjë nga këto nuk do të ndodhin kurrë. Në gjumë do vdesim. Nuk do të ketë Demokraci të vërtetë, direkte apo përfaqësuese nëse ne flemë mbi dafina, me idenë budallaqe se Demokracia do të vijë vetvetiu, pa mundimin tonë. Pa pjesëmarrjen tonë, Shqipëria Demokratike është vetëm një iluzion. Ajo nuk ekziston.

No comments: