2/11/14

Vdekja e një artisti, dhe vdekja brenda mendjes

Skënder Sallaku do kishte qeshur edhe një herë me lotë po të shihte kronikat e vdekjes së tij në televizion. E kam fjalën për ato që mbyllen me ngushëllimet e politikanëve kryesorë në vend.

Sado që mundohem ta përmbaj veten, e gjej të pështirë, dhe një mungesë respekti e nderimi - përmes një përtacie dhe injorance monumentale, që në vend se të dëgjojmë nga kolegët dhe të dashurit e tij, televizionet na lexojnë Facebook-un e z. Edi Rama dhe deklaratat e z. Lulzim Basha për rastin e vdekjes së një artisti të madh.

Por cfarë lidhje kanë këta me jetën dhe veprën e Skënder Sallakut? Po Ilir Meta, e Sali Berisha me Vace Zelën? Po Me Pashkën, Ramazanin, Krishtlindjen, c'lidhje kanë që na i nxjerrin vit për vit me rradhë? A ka kuptim kjo që ndodh këtu?

Politikanët mirë bëjnë që ngushëllojnë, s'e kam me ata kësaj here, por me median që ka rënë nën nivelin mesatar të shoqërisë, dhe as e kupton dot sa dobët është. Aq sa konfirmon se kur nuk është e shitur me para është e skllavëruar nga paaftësia e saj për të parë përtej.

Skënder Sallaku, Artist i Popullit
25 janar 1935 - 11 Shkurt 2014

5/3/12


MYSTIQUE nga Etgar Keret
Përktheu Blendi Salaj

Burri që dinte çfarë do thoja, qe ulur krah meje në avion, me një buzëqeshje idiote të ngjitur në surrat. Kjo t'i ngrinte nervat më shumë, fakti që ai nuk ishte as i zgjuar, as i ndjeshëm, e megjithatë ai arrinte t'i thoshte - të gjitha frazat që unë po mendoja të thosha - tre sekonda para meje. "A shisni Guerlain Mystique?" pyeti stjuardesën një moment para së të arrija ta pyesja vetë, ndërsa ajo i dha një buzëqeshje ortodontike dhe i tha se kishte mbetur vetëm një shishe. "Gruaja ime çmendet për atë parfum. E ka pothuajse si varësi nga droga. Nëse kthehem nga një udhëtim dhe nuk i sjell të paktën një shishe duty-free, ajo më thotë se nuk e dua më. Nëse guxoj të hyj në shtëpi pa të paktën një shishe parfum. E kam punën pisk." Këto fraza duhet t'i kisha thënë unë, por burri që e dinte çfarë do thoja mi vodhi. Ai nuk humbte asnjë çast. Sapo rrotat e avionit cekën tokën, ndezi telefonin celular, një sekondë para se ta ndizja dhe unë, dhe telefonoi gruan. "Sapo zbrita," i tha. "Më vjen keq, duhet të kisha ardhur dje. Anulluan fluturimin. Nuk më beson? Kontrollo vetë. Telefono Erikun. E di që nuk e ke. Ta jap unë numrin e tij në këtë çast." Edhe unë kam një agjent udhëtimesh që quhet Erik. Edhe ai do të gënjente për mua.
Kur avioni ndaloi ai ishte ende në telefon, duke dhënë ato përgjigje që do të kisha dhënë unë. Pa një grimë emocion, si një papagall në një botë ku koha rrjedh mbrapsht, ai përsërsite gjërat që do të thuheshin pas pak, në vend të gjërave që sapo ishin thënë. Përgjigjet që i jepte së shoqes ishin më të mirat e mundshme, në atë situatë. Sepse situata e tij nuk ishte fort e mirë. As situata ime s'ishte gjë. Gruaja endè nuk ma kishte ngritur telefonin, por duke dëgjuar burrin që dinte çfarë do thoja, desha ta mbyll fare. Veç duke dëgjuar atë kuptova se gropa që i kisha bërë vetes ishte aq e thellë, saqë edhe nëse arrija të dilja që aty, do të dilja në një realitet të tjetërsuar. Ajo nuk do të më falte kurrë, nuk do të më besonte më. Kurrën e kurrës. Tash e tutje, të gjithë udhëtimet e mia do të ishin një ferr i vërtetë, dhe periudha kohore mes udhëtimeve do të ishte ca më keq akoma. Ai vazhdonte akoma, duke thënë të gjitha ato fjali që kisha menduar unë, por që endè nuk i kisha thënë. Fjalët vazhdonin të rridhnin prej tij. Tani mori vrrull, e ngriti zërin, si një njeri që po mbytet, i cili dëshpërimisht përpiqet të qëndrojë mbi ujë. Njerëzit zunë të dalin nga avioni. Ai u ngrit, endè duke folur në telefon, kapi laptopin me dorën tjetër dhe u nis drejt daljes. E vura re që po e linte pas, çantën që kishte vendosur tek kupetë e valixheve në tavanin e avionit. E vura re që po e harronte, dhe nuk thashë gjë. Nuk lëviza asnjë gisht. Gradualisht, avioni u zbraz, derisa të vetmit aty ishim unë dhe një bullafiqe fetare, me një milion fëmijë. U ngrita dhe hapa kupenë sikur të ishte gjëja më e natyrshme në botë. Nxora qesen plastike sikur të kishte qenë gjithmonë e imja. Brenda ishte fatura dhe shishja e Guerlain Mystique. Gruaja ime çmendet për atë parfum. E ka pothuajse si varësi nga droga. Nëse kthehem nga një udhëtim dhe nuk i sjell të paktën një shishe duty-free, ajo më thotë se nuk e dua më. Nëse guxoj të hyj në shtëpi pa të paktën një shishe parfum. E kam punën pisk.

7/19/11

I urryeri dhe urryesi, të dy të prekur nga krimi

I urryeri dhe urryesi, të dy të prekur nga krimi

Nga TIMOTHY WLLIAMS
The New York Times
Mark Anthony Stroman, 41 vjeçar, një gurpunues nga Dallasi shtiu mbi njerëz që besonte se ishin arabë, duke thënë se ishte i tërbuar nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Vrau dy: Vasudev Patel, një emigrant indian i cili ishte hindu, dhe Vaqar Hasanin, një mysliman të lindur në Pakistan.
Viktima e tretë e plumbave, Rais Bhuijan, 37 vjeçar nga Bangladeshi, dikur pilot i Forcave Ajrore , shpëtoi pasi Z. Stroman e qëlloi në fytyrë nga një distancë e vogël. Z. Stroman i ka pranuar të shtënat. Ai do të ekzekutohet të mërkurën.
Z. Bhuijan, edhe pse ka humbur pjesërisht shikimin në syrin e djathtë, ka kaluar muajt e fundit duke ndërtuar një Web site me një peticion, dhe duke takuar zyrëtarë në Teksas për t’i bindur që t’ia falin jetën z. Stroman.

Z. Bhurjan u intervistua në telefon. Z. Stroman iu përgjigj pyetjeve me një letër të shkruar me makinë shkrimi e cila mban datën 26 qershor. Bashkë me letrën dërgon edhe një fotografi të Kullave Binjake ditën e sulmeve: në foto Kulla veriore nxjerr tym dhe avioni i United Airlines i fluturimit nr. 175 shihet vetëm disa çaste para se të godasë Kullën jugore. Përgjigjet e tij janë të pa edituara.

Pyetje: Z. Bhuijan, ti po punoje si shitës tek karburanti i një miku më 21 shtator 2001. Çfarë ju kujtohet?

Përgjigje: Më kishin vjedhur nja dy herë. Ishte lagje e rrezikshme. Njerëzit vinin në dyqan, përpiqeshin të shisnin televizorë dhe kompiutera. Një herë hyri një tip me një armë dhe unë mendova se po përpiqej ta shiste. Më tha, “Nëse nuk më jep paratë do të ta heq kokën.” Më 21 shtator, ishte e Premte rreth orës 12:30 të drekës. S’kishte shumë punë. Binte shi si litarë. Fqinji nga berberana ngjitur kishte ardhur me ca patatina dhe pije. Vjen njëri në dyqan, me kapele, syze dielli dhe një shami lidhur në kokë, kishte një armë në dorë. Mendova se po na vidhte. “Mos qëllo të lutem.” – i them. “Merri të gjitha paratë.” Ai tha, “Nga je ti?” S’ishte as dy metra larg. Ndjeva të ftohtë në shpinë. I thashë, “Më falni?” Kishte një çifte në dorë. Ndjeva pickimin e një milionë bletëve në fytyrë. Pastaj dëgjova shpërthimin. Pashë fytyrat e prindërve, vëllzeërve. Pash të fejuarën, pastaj një varrezë, dhe mendova, “Po vdiskam sot?” Ula kokën dhe pash gjakun që rridhte nga koka ime. I vura të dyja duart mbi kokë si për të mbajtur trutë dhe ulëriva “Nënë!” Vura re që ai po më shihte ngultas dhe mendova se mund të më qëllonte sërish nëse nuk rrëzohesha dhe bëja si i vdekur. Dyshemeja po lagej nga gjaku im. Pastaj ai doli nga dyqani. Nuk më besohej se më kishte shtënë. Mendoja se kisha parë ëndërr, apo se mos po haluçinoja. S’i kisha bërë asgjë. Nuk përbëja kërcënim për të. Nuk mund ta besoja që dikush mund të të qëllonte ashtu.

Pyetje: Çfarë ndodhi më pas?

Përgjigje: Doja të dilja jashtë. Shkova tek berberana por ata ia dhanë vrapit. Më panë të mbuluar në gjak, duke vrapuar si një pulë e therur dhe menduan se ai vinte pas meje. Pashë fytyrën time në pasqyrën e berberit dhe nuk më besohej se isha unë. (Ai nis të qajë.) Disa minuta më parë kisha qënë një çun me bluzë, pantallona të shkurtra dhe atlete. (Tani qan më fortë.) Më fal, nuk kam qarë këta nëntë vjetët e fundit. Isha me fat që ndodhej një ambulancë aty pranë. I kërkoja Zotit falje, i thoja se do të bëja më të mirën time. Po recitoja vargje nga Kurani. I thashë se do t’ia përkushtoja jetën të varfërve. Ndjeva sytë të më mbyllen dhe trurin që po më fikej ngadalë.

Pyetje: Sa të rënda ishin plagët tuaja?

Përgjigje: Kisha marrë 38 saçme në fytyrë. Nuk i hapja dot sytë, as flisja dot, as lëvizja dot nofullën. Nuk mund të haja apo pija ndonjë gjë. As gëlltitesha dot se më kishte qëlluar në fyt. Pas disa orësh në spital arrita të hap syrin e majtë. Fytyra më ishte ënjtur shumë. Kisha plagë. Fytyra ime ishte e tmerrshme. Nuk më besohej që ishte imja. U luta, “Të lutem o Zot, ma kthe fytyrën tume.” (Z. Bhuijan u lirua nga spitali një ditë pas ndërhyrjes mjekësore; iu tha se nuk kishte sigurim shëndetësor. Në muajt në vazhdim fjeti në divanët e miqve të ndryshëm dhe u mjekua me barna “tester” të falura nga mjekë të ndryshëm, përfshi këtu barna për dhimbjen dhe pika për sytë. Më vonë kreu disa operacione në syrin e djathtë; tani ka shikim të kufizuar nga ky sy.)

Pyetje: Z. Stroman ka pranuar se u përpoq t’ju vriste. Pse po përpiqeni t’i shpëtoni jetën?

Përgjigje: Prindërit dhe mësuesit më kanë rritur mirë. Më kanë rritur me moral të mirë dhe besim të fortë. Më mësuan ta vë veten në vend të të tjerëve. Edhe pse mund të të lëndojnë, mos merr hakën. Fali. Vazhdo rrugën tënde. Kjo sjell të mirë për ty dhe për ata. Besimi im islam më mëson këto gjëra gjithashtu. Ai tha se e bëri këtë si një akt lufte dhe shumë amerikanë donin ta bënin, por ai pati guximin ta bënte – të qëllonte muslimanë. Pasi ndodhi unë thjeshtë u përpoqa të mbijetoj në këtë vend. Dhe vendosa se falja nuk mjaftonte. Ajo që bëri ai ishte nga injoranca. Vendosa se duhet të bëja diçka për t’i shpëtuar jetën këtij njeriu. Të vrasësh dikë në Dallas nuk është përgjigja për atë që ndodhi më 11 shtator.

Pyetje: Nëse të jepet rasti ta takosh z. Stroman, çfarë do t’i thoje?

Përgjigje: Kam kërkuar ta takoj. Mezi pres ta shoh ballë për ballë dhe të shkëmbej idetë me të. Do t’i flisja mbi dashurinë dhe të ndjerit e dhimbjes së tjetrit. Të gjithë gabojmë. Ai është njeri, si unë. Urre mëkatin, mos urre mëkatarin. Është shumë e rëndësishme që ta takoj dhe t’i them se e mbështes, dhe se mendoj se atij i duhet dhënë një shans i dytë. Ti them se unë nuk e kam urryer kurrë ShBA-në. Ai mund të edukojë shumë njerëz të tjerë. Kur mendoj atë që do të ndodhë më përshtjellohen ndjenjat. S’fle dot. Kur shtrihem në shtrat mendoj sesi është edhe ai në shtratin e tij, duke menduar mbi ç’ka për t’i ndodhur atij – që do ta lidhin në një krevat dhe do ta vrasin. Më përshtjellon ky mendim, më trishton dhe më bën të dua të bëj më tepër.

• • •

Pyetje: Si jeni, z. Stroman?

Përgjigje: më kanë mbëtur vetëm 25 ditë deri sa Shteti i Teksasit të më lidhë në një barrelë e të më mbushë me lëng toksik. Po fundja të gjithë përballemi me Fundin herët apo vonë. Gjërat janë mirë, frymën e kam lartë, ulem këtu me një filxhan kafeje dhe dëgjoj Rock Klasik në radio. Sa ironike kënga “Free Bird” e Lynyrd Skynyrd...”

Pyetje: Çfarë mendon për përpjekjet e Rais Bhuijan-it për të të shpëtuar nga ekzekutimi?

Përgjigje: Po, z. Rais Bhuijan, është shpirt frymëzues... ajo që ka bërë ai flet Shumë... dhe më ka Prekur zemrën dhe zemrën e Shumë të tjerëve në mbarë botën... Sidomos pasi këta dhjetë vjetët e fundit kemi dëgjuar shumë sesa i Lig mund të jetë Besimi Islam... provon se nuk jemi as të Këqinj as të Ligj.

Pyetje: Më thoni se ç’po mendoni tani, disa javë para ekzekutimit?

Përgjigje: “Jo vetëm miqtë dhe mbështetësit po përpiqen të më shpëtojnë jetën, por tani po përpiqet edhe Kumuniteti Islam... I drejtuar nga ky burrë i jashtëzakonshëm me Emrin Rais Bhurijan, i cili i mbijetoi Urrejtjes Sime. Besimi i tij i thellë Islam i ka dhënë forcën të fali të pafalshmen... Kjo më frymëzon vërtetë, duhet bërë shembull për të gjithë ne. Urrejtja duhet të marrë fund. Besimi im në Jezusin dhe rrënjët e mia teksane më kanë Thelluar Kuptimin e gjërave gjithashtu. Kanë kaluar gati 10 vjet që kur bota ndali së rrotulluari, dhe ne si komb nuk do arrijmë kurrë të harrojmë atë që ndjemë atë ditë, unë jo për vete, por po të them çfarë ndjej sot, jam shumë mirënjohës për përpjekjet e Rais Bhurijanit për të më shpëtuar jetën pasi unë u mundova t’ia marr të tijën. Ka shumë njerëz ende të lënduar dhe plot me urrejtje, dhe ndërsa qëndroj këtu në pritjen e vdekjes në Teksas, duke numëruar mbrapsht drejt Vdekjes Time, kam patur shansin ta shpreh hapur atë që kam në këtë mendje dhe zemër teksane, dhe shpresoj që nga kjo të vijë ndonjë e mirë. Kemi nevojë për më shumë Falje dhe Kuptim dhe më pak urrejtje.”

Z. Stroman e mbyll letrën, “Zëlartë teksan, krenar teksan... I VËRTETË AMERIKAN... Jetoj për të vdekur – Vdes për të jetuar.”

Perktheu, B.Salaj

7/16/11

Iluzioni i Shqipërisë Demokratike

Blendi Salaj

Iluzioni i Demokracisë

Procesi i numërimit dhe certifikimit të zgjedhjeve lokale përfundoi dje, kur Gjykata e Tiranës njohu kryetarin e ri të bashkisë. Ky proces, sfilitës e poshtërues, ngjan tanimë si skena e një grabitjeje banke, e shfaqur në një film me xhiro të ngadalta. Grabitja mbaroi. Na vodhën. Kur them na vodhën, nuk po e njësoj veten dhe ty lexues i nderuar me Edi Ramën apo me Partinë Socialiste, sepse viktimat e vërteta të kësaj vjedhjeje nuk janë ata, por ne, qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti. Ajo që u grabit ishte vota, duke provuar edhe një herë atë çka shohim gjithmonë e më qartë; në Shqipëri Demokracia nuk ekziston asfare, por vetëm iluzioni i saj. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor japin provat se interesat e biznesit, paraja e pistë dhe marrëveshjet e prapaskenave janë ato që vendosin realisht se çfarë bëhet në këtë vend. Nuk ka votë të lirë në Shqipëri, nuk ka as Demokraci, ka vetëm pazare. As unë, as ti i dashur lexues nuk vendosim mbi asgjë me votën tonë. Në të vërtetë vendosin ata, mjeshtrit që tërheqin fijet, bizneset e mëdha, korporatat ndërkombëtare, ndërtuesit, trafikantët, të fortët. Vendosin ata me KQZ-rat dhe Kolegjet e tyre Zgjedhore, sepse ata e dinë se kush duhet ta drejtojë bashkinë e kryeqytetit. Fushatat zgjedhore, me miliona eurot e shpenzuara në to, nuk shërbejnë dhe aq për të manipuluar mendjet në mënyrë që t’i votojmë, por për të na manipuluar të besojmë se procesi zgjedhor funksionon. Në fakt nuk funksionon. Zgjedhjet bëhen sa për të bërë sikur ka zgjedhje. Një herë në dy vjet, Iluzionit të Demokracisë i jepet një dorë e freskët boje, në këtë mënyrë iluzioni mbetet i besueshëm, me ngjyra të forta. Blu, e Kuqe, Rozë.

Totalitarizmi i ri

Ata, mjeshtrit e prapaskenave kanë pushtetin. E kanë blerë politikën, i kanë shbërë intitucionet krejt. Ata kanë televizione, radio, gazeta dhe revista për të kontrolluar atë që shohim dhe lexojmë. Pushtetet e prapaskenës kanë analistë me pagesë dhe lobistë të paqetë, që shkruajnë çdo ditë në mënyrë që të na diktojnë çfarë duhet të mendojmë. Ata kanë biznese, banka, universitete, prona të vjedhura nga publiku. Ata kanë armë dhe vrasës me pagesë. Ata mjeshtër të padukshëm kontrollojnë shtetin, sepse ata e kanë në të vërtetë pushtetin. Ata kanë paranë ndaj shpenzojnë miliona euro për të na shurdhuar, qorruar dhe budallallepur. Me ushtritë e kalemxhinjve rreken të na bindin se jemi në një sistem Demokratik, duan të na mbushin mendjen se jetojmë në Shtetin e së Drejtës. Por ky është valiumi i tyre për ne. Ky i dashur lexues është totalitarizmi i ri. Në të vërtetë ne jetojmë nën hyqmin e tyre. Grindemi për të majtën dhe për të djathtën, ndërsa ata qeshin me zellin tonë ideologjik. Qeshin sepse ata nuk kanë asnjë ideologji. Mbi ta nuk ka asnjë ligj. Ky totalitarizëm i ri që na ka pllakosur nuk ka nevojë të jetë as i majtë, as i djathtë. Është si një sistemi i ri feudal. Totalitarizimi i ri nuk e tregon forcën në shesh të mejdanit si komunistët a fashistët – ai luhet në prapaskenë, duke kontrolluar qeveritarët dhe sistemin e drejtësisë. Totalitarizimi i ri vret dhe vjedh çdo ditë pa bërë lajm. Ky lloj sistemi nuk ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën, vetëm sa e manipulon drejtësinë përmes interpretimesh sikundër bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky lloj totalitarizmi nuk na e heq të drejtën të kemi zgjedhje, thjesht i manipulon ato. Ky totalitarizëm nuk na e heq të drejtën e fjalës, por na lejon të llapin kot më kot. Na lejon të kemi opinione, por vetëm për tema idiote, të stisura për të na shpërqendruar nga rreziku i vërtetë që na kërcënon. Çështja e Kompleksit të ri Parlamentar është një shembull i mirë. Lobet e interesave të mëdha ekonomike po kërkojnë një shesh të ri ndërtimi për megastrukturat. Kanë vendosur të ndërtojnë aty ku ndodhet Kuvendi aktual dhe për të fshehur qëllimet e vërteta luajnë me emocionet e publikut. Duan ta bëjnë qytetarin të ndjejë revoltë, por të drejtuar gabim. Mjeshtrit e prapaskenës na flasin për fantazmën e Enver Hoxhës, për të na fyer me paturpësinë e tyre. Përdorin këta deputetë ushtarë për të trazuar debate të kota në popull, në mënyrë që të mos jemi të vëmendshëm ndërsa zaptojnë Tiranën pak nga pak, e na shtypin ngadalë nën peshën e tyre në rritje. Krijojnë kriza pas krizash për të na mpirë, për të na vjedhur, në shtëpitë tona, te fëmijët tanë. Dita mbas ditës po na vjedhin Atdheun, po na shkelin ëndrrat, po na vrasin shpresën.

Sistemi i Antivlerave

Nëse dëshironi shembuj të mbrapshtësisë së rendit ku jetojmë, shikoni sistemin e bjerrur të vlerave në Shqipëri. Kjo nuk është Demokracia i dashur lexues. Në këtë vend hajduti rreh gjoksin dhe admirohet si djalë i zoti, të arrish të vjedhësh është kthyer në meritë. Në këtë vend drejtësia ka një rrjetë të çuditshme, e cila zë vetëm peshqit e vegjël, ndërsa peshqit e mëdhenj kalojnë lirisht nëpër vrimat e saj. Sot në Shqipëri i pandehuri i bën presion prokurorit, vrasësi lirohet, gjykatësi mund të blihet lirisht. Në Shqipëri të rinjtë pothuajse nuk kanë më shans të mësojnë se çfarë është virtyti dhe puna e ndershme. Në këtë vend njerëzit vdesin si qentë në spitalet shtetërore, ose shesin trupin për të shpëtuar jetën te privati. Në këtë vend po braktiset arsimi, po harrohet dija, po humbet dinjiteti i njeriut. Kjo nuk është Demokracia, aspak!

Në Shqipëri ne ende flasim për Demokracinë, për Shtetin e së Drejtës, për Integrimin Europian e të tjera simbole linguistike si këto. Në Shqipëri ende besojmë në mitin e një vendi që do të bëhet më mirë. Por nëse qytetarët nuk bashkohemi për të kundërshtuar me trupat tanë këtë tirani pa emër e pa fytyrë që po na shtyp, asnjë nga këto nuk do të ndodhin kurrë. Në gjumë do vdesim. Nuk do të ketë Demokraci të vërtetë, direkte apo përfaqësuese nëse ne flemë mbi dafina, me idenë budallaqe se Demokracia do të vijë vetvetiu, pa mundimin tonë. Pa pjesëmarrjen tonë, Shqipëria Demokratike është vetëm një iluzion. Ajo nuk ekziston.

11/17/09

LS: TAÇI OIL PRIVATIZON GJYKATËN E TIRANËS

TAÇI OIL PRIVATIZON GJYKATËN E TIRANËS

TIRANE - Qeveria shqiptare miratoi dje privatizimin e Gjykatës së Tiranës nga biznesmeni Rezart Taçi. I konsideruar nga kryeministri si privatizimi më i suksesshëm deri më tani, privatizimi i Gjykatës së Tiranës ka qënë kryefjala e mbledhjes së djeshme të qeverisë. "Me këtë privatizim e thellojmë me sukses reformën në drejtësi", u shpreh kryeministri për anëtarët gjithmonë të buzëqeshur të kabinetit. “Shqiptarët më të drejtë janë ankue se u ka mungue drejtësia. Tani është ekonomi e tregut. privati e jep drejtësinë me çmimin që e vendos tregu,". Nënshkrimi i marrëveshjes së shitjes do të nënshkruhet sot në mesditë në Ambientet e burgut 312 në Kryeqytet ku ndodhet rezart Taçi, pronari i ri i Gjykatës së rrethit Tiranë.


PS PRET PERFAQESUESIT E PERENDISE

TIRANE - Kryesia e Partisë Socialiste ka nisur negociatat me të madhin Zot për të siguruar mot të mbarë gjatë 20 nëntorit dhe ditëve në vijim. Sipas njoftimit për shtyp të Partisë Socialiste gjatë takimeve midis të dërguarve të Mbretërisë Qiellore dhe përfaqësuesve rozë është rënë dakord se është koha për të hapur kutitë. "Ne qëndrojmë në traditën e Mojsiut i cili e hapi detin e kuq për të shpëtuar nga skllavëria popullin e izraelit." mësohet të ketë thënë në takim kryetari i PS, Edi Rama duke theksuar se misioni i Partisë Socialiste është një misjon hyjnor. "Një thirrje që i ngjan asaj të Gjon Pagëzorit në Shkretëtirë i cili gjithashtu priste të hapej qielli, ashtu sikundër PS pret dhe lutet për hapjen e kutive." mbyllet deklarata për shtyp e selisë rozë.


100% TE FEMIJEVE SHQIPTARE, SHUME TE ZGJUAR

Sipas një sondazhi të kryer nga Zogby International gjatë vitit 2009 rezultoi se sipas prindërve 100% e fëmijëve shqiptarë janë shumë të zgjuar. Të gjithë prindërit e anketuar i klasifikuan fëmijët e tyre si shumë të zgjuar. 44% e të anketuarve u shprehën se kanë fëmijë shumë inteligjentë të cilët po të duan mund të bëhen të parët e klasës, ndërkohë që 49% e prindërve u shprehën se kanë fëmijë shumë të zgjuar por që nuk shtrohen sa duhet në mësime. 7% e prindërve u shprehën të bindur se fëmijët e tyre mund të konsiderohen gjeni. Prindërit i përshkruan fëmijët e tyre si të zgjuar, të mprehtë, kuriozë, vëzhgues, "që i kapin të gjitha", "që thithin menjëherë".


FQINJET: VRASESI I PASTRUESVE, NJERI I QETE

MAMURRAS - Fqinjët dhe kolegët e Qerim Katilit, janë shprehur të shokuar nga arrestimi i tij mëngjesin e së premtes. 47 vjeçari Katili i lindur në shpellë dhe i arsimuar në Tiranë akuzohet si vrasës serial për vdekjet e 13 pastrueseve midis vitit 2001 dhe 2009. "E habitshme që u arrestua ky njeri. Ka qene tip vrasësi, dukej gjaksor si njeri. Ne kemi pasur marrdhënie të mira, përveç asaj here kur varrosi një kufomë në baçen time" thotë Apostol Palla i cili jeton në shgtëpinë ngjitur me atë të Qerim Katilit. "Nuk para përzihej shumë me kolegët e tjerë në punë," na tregon shefja e tij Arabeska Xhani, "shihte punën e tij, vriste pastruese. Njeri i qetë. Vetëm pastruesen desh e mbyti njëherë, përndryshe ka qënë model," - shton ajo.


FUNDJAVE E MBARE PER DHIMI VIÇIN

KORÇË - Pijeneci me nam i qyteti të Korçës, Dhimi Viçi njoftoi të enjten se ka derdhur gjithë dellin e tij krijues për të pregatitur një plan të mirë për fundjavën. I përmbledhur me pak fjalë plani i Z. Viçi synon që ai të dehet paq me alkoolin që trupi e tij e kërkon aq fort. "Pasi e mendova gjerë e gjatë, vendosa se fundjavën duhet ta kaloj duke u bërë tapë me birrë dhe raki." - na tregon Dhimi Viçi. "E kam krijuar vetë këtë plan, edhe pse frymëzimin fillestar e kam marrë duke lexuar Homerin. Por jam munduar të jap nga vetja. Do nis të pij pasi të ha mëngjesin." Strategjia kyçe e planit të Z. Viçi është që ta kthejë nga birra në raki në orën 23:00 të së shtunës.


DY LACA BIEN NE NJE HUNDELESH

TIRANË - Sipas hundëleshit kryeqytetas Edvin Kafka dy lacat e Rrugës Bardhyl Ronaldo Mitka me pseudonimin Kaushi, dhe Gerti Zhubra e panë menderen ngushtë kur u kapën me Edvin Kafkën. "Këtë herë e krruajtën me hundëlesh tamom, se nuk ka tangërrllik me mu." thotë Kafka për krruajtjen, e cila sipas dëshmitarëve okularë ishte gabimi më i madh në jetën e dy lacave. "Ne si banorë e prisnim që po të vazhdonin në këtë rrugë lacat do ta krruanin me ndonjë hundlesh dhe ndodhi." shpjegon banori i zonës Nesti Xhixha. I pyetur për planet që ka për të ardhmen hundleshi Kafka na thotë, "Unë do t'i shkrij ata si rob. Do i mbaroj, do ia...biip".