5/3/12


MYSTIQUE nga Etgar Keret
Përktheu Blendi Salaj

Burri që dinte çfarë do thoja, qe ulur krah meje në avion, me një buzëqeshje idiote të ngjitur në surrat. Kjo t'i ngrinte nervat më shumë, fakti që ai nuk ishte as i zgjuar, as i ndjeshëm, e megjithatë ai arrinte t'i thoshte - të gjitha frazat që unë po mendoja të thosha - tre sekonda para meje. "A shisni Guerlain Mystique?" pyeti stjuardesën një moment para së të arrija ta pyesja vetë, ndërsa ajo i dha një buzëqeshje ortodontike dhe i tha se kishte mbetur vetëm një shishe. "Gruaja ime çmendet për atë parfum. E ka pothuajse si varësi nga droga. Nëse kthehem nga një udhëtim dhe nuk i sjell të paktën një shishe duty-free, ajo më thotë se nuk e dua më. Nëse guxoj të hyj në shtëpi pa të paktën një shishe parfum. E kam punën pisk." Këto fraza duhet t'i kisha thënë unë, por burri që e dinte çfarë do thoja mi vodhi. Ai nuk humbte asnjë çast. Sapo rrotat e avionit cekën tokën, ndezi telefonin celular, një sekondë para se ta ndizja dhe unë, dhe telefonoi gruan. "Sapo zbrita," i tha. "Më vjen keq, duhet të kisha ardhur dje. Anulluan fluturimin. Nuk më beson? Kontrollo vetë. Telefono Erikun. E di që nuk e ke. Ta jap unë numrin e tij në këtë çast." Edhe unë kam një agjent udhëtimesh që quhet Erik. Edhe ai do të gënjente për mua.
Kur avioni ndaloi ai ishte ende në telefon, duke dhënë ato përgjigje që do të kisha dhënë unë. Pa një grimë emocion, si një papagall në një botë ku koha rrjedh mbrapsht, ai përsërsite gjërat që do të thuheshin pas pak, në vend të gjërave që sapo ishin thënë. Përgjigjet që i jepte së shoqes ishin më të mirat e mundshme, në atë situatë. Sepse situata e tij nuk ishte fort e mirë. As situata ime s'ishte gjë. Gruaja endè nuk ma kishte ngritur telefonin, por duke dëgjuar burrin që dinte çfarë do thoja, desha ta mbyll fare. Veç duke dëgjuar atë kuptova se gropa që i kisha bërë vetes ishte aq e thellë, saqë edhe nëse arrija të dilja që aty, do të dilja në një realitet të tjetërsuar. Ajo nuk do të më falte kurrë, nuk do të më besonte më. Kurrën e kurrës. Tash e tutje, të gjithë udhëtimet e mia do të ishin një ferr i vërtetë, dhe periudha kohore mes udhëtimeve do të ishte ca më keq akoma. Ai vazhdonte akoma, duke thënë të gjitha ato fjali që kisha menduar unë, por që endè nuk i kisha thënë. Fjalët vazhdonin të rridhnin prej tij. Tani mori vrrull, e ngriti zërin, si një njeri që po mbytet, i cili dëshpërimisht përpiqet të qëndrojë mbi ujë. Njerëzit zunë të dalin nga avioni. Ai u ngrit, endè duke folur në telefon, kapi laptopin me dorën tjetër dhe u nis drejt daljes. E vura re që po e linte pas, çantën që kishte vendosur tek kupetë e valixheve në tavanin e avionit. E vura re që po e harronte, dhe nuk thashë gjë. Nuk lëviza asnjë gisht. Gradualisht, avioni u zbraz, derisa të vetmit aty ishim unë dhe një bullafiqe fetare, me një milion fëmijë. U ngrita dhe hapa kupenë sikur të ishte gjëja më e natyrshme në botë. Nxora qesen plastike sikur të kishte qenë gjithmonë e imja. Brenda ishte fatura dhe shishja e Guerlain Mystique. Gruaja ime çmendet për atë parfum. E ka pothuajse si varësi nga droga. Nëse kthehem nga një udhëtim dhe nuk i sjell të paktën një shishe duty-free, ajo më thotë se nuk e dua më. Nëse guxoj të hyj në shtëpi pa të paktën një shishe parfum. E kam punën pisk.